Secondary Adv

Pagesa e taksës së mjeteve, DPSHTRR: Tashmë 100 për qind online përmes e-Albania

DPSHTRR njofton se qytetarët tashmë e paguajnë taksën e mjeteve vetëm online, pa paraqitje fizike.

Pagesa digjitale pa sportele

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se pagesa e taksës së mjeteve realizohet tashmë plotësisht online përmes platformës e-Albania. Ky shërbim garanton akses të plotë për pagesë me çdo kartë bankare, në mënyrë të thjeshtë, të sigurt dhe pa nevojën e paraqitjes fizike në sportele.

 

Sipas DPSHTRR, ky hap përfaqëson një moment të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve publike dhe në lehtësimin e procedurave për qytetarët, duke u mundësuar atyre që shërbimin ta kryejnë nga telefoni apo kompjuteri, në çdo kohë.

 

Kursime kohe, parash dhe karburanti

Përmes këtij shërbimi digjital, rreth 770 mijë zotërues mjetesh kanë përfituar lehtësira konkrete. Sipas të dhënave zyrtare, janë kursyer rreth 282,975,000 lekë si rezultat i eliminimit të paraqitjes fizike në sportelet e DPSHTRR, ndërsa janë fituar rreth 56,146 ditë pune falë shmangies së kohës së pritjes dhe udhëtimit.

 

Po ashtu, janë shmangur rreth 23,100,100 kilometra udhëtime vajtje-ardhje për kryerjen e shërbimit dhe janë kursyer rreth 1,617,000 litra karburant, me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe mjedisor.

 

Bashkëpunim institucional për shërbime më të thjeshta

Ky shërbim është rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe sektorit bankar, me synimin për zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve.

 

DPSHTRR thekson se objektivi i saj mbetet ofrimi i shërbimeve publike më të thjeshta, më të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve, duke reduktuar kostot, kohën dhe burokracinë. Për më shumë informacion mbi këtë shërbim, qytetarët mund të vizitojnë platformën e-Albania.

Burimi: Scan


Më të lexuarat